Këtë të martë, Policia Bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Ndërrmarrjen Rruga, ka vazhduar punën për lirimin e hapësirave publike te zëna në mënyrë të paligjshme nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët me metoda primitive, në kundërshtim me çdo normë të bashkëjetesës qytetare në komunitet, kanë zënë hapësira me blloqe betoni, rrethime me zinxhirë metalik, kunja hekuri etj. duke i improvizuar në parkime pa leje.

Aksioni i radhës u përqendrua në lagjen nr.4, te pallati “Dovana”.

“Ky mentalitet primitiv nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët zaptojnë hapësira publike është kthyer në një fenomen të turpshëm për shumicën e qytetarëve të tjerë të ndershëm dhe që respektojnë ligjin dhe bashkëjetesën qytetare.”,- bëjnë të ditur burime nga Policia Bashkiake e Durrësit

Me këtë rast, Policia Bashkiake nuk do tolerojë këto raste abuzive të shkeljes së ligjit, ndërkohë që i bën thirrje të gjithë qytetarëve që kur konstatojnë që persona të papërgjegjshëm vrapojnë për të zënë hapësira publike në kundërshtim me ligjin, të lajmërojnë menjëherë Policinë Bashkiake në numrin e kontaktit: 052232250.

Policia Bashkiake bashkë me Ndërrmarrjen Rruga siguron qytetarët e Durrësit se do të vazhdojnë punën deri në lirimin e çdo metri katror hapësirash publike në çdo lagje të qytetit, deri në eliminimin përfundimtar të këtij fenomeni.