Stina e pranverës ka shtuar punën e punonjësve në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës.

Përmirësimi i kushteve atmosferike shkakton zhvillimin e bimësisë në monumentet arkeologjike dhe historike të qytetit 3 mijë vjeçar, duke rrezikuar dëmtimin e tyre.

Për këtë arsye, prej mëse një muaji, punonjësit e kësaj drejtorie janë zhvendosur në të gjitha objektet në varësi të DRKK-së Durrës për të luftuar vegjetacionin.

Pas amfiteatrit dhe disa objekteve historike në Krujë, të hënën, punonjësit janë zhvendosur pranë Torrës Veneciane dhe mureve antike të qytetit.

“Lufta kundër vegjetacionit që sulmon çdo pranverë monumentet vazhdoi edhe sot për punonjësit e DRKK Durrës, në Muret Rrethuese dhe Torrën Veneciane të qytetit…”,– shkruan DRKK në një postim në Facebook.

Postimi shoqërohet edhe nga një mori fotosh ku duket mirë vegjetacionin përgjatë gjithë perimetrit të Torrës dhe mureve antike dhe puna e stafit për heqjen e tyre, ndërsa objektet pritet të vizitohen nga mijëra turistë të huaj.