Një grup prej 4 deputetësh të Parlamentit holandez kanë hartuar mocionin për anulimin e përkohshëm të udhëtimit të lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë në zonën e “Schengen”-it.
Më 11 prill, Parlamenti i Holandës kishte debatuar mbi këtë mocion, duke siguruar mbështetjen e shumicës. Parlamenti do t’i kërkojë qeverisë holandeze t’i propozojë Komisionit Europian fillimin e të ashtuquajturës “procedurë e tërheqjes së frenave”, e cila lejon pezullimin e udhëtimit të lirë.
Mocioni u depozitua nga ligjvënësja kristiandemokrate, Madeleine van Toorenburg, ndërsa ka edhe 3 bashkautorë të tjerë, Jeroen van Wijngaarden, Jasper van Dijk, Nico Drost.
Justifikimi i tyre është se kjo lëvizje vjen si përpjekje në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar. Mocioni kalon në votim të martën më 16 prill.
Van Toorenburg pretendon në argumentet e saj se, në Holandë ka 6 herë më shumë shqiptarë nga sa janë të regjistruar zyrtarisht. Propozuesit e masës kanë vënë në dukje faktin që ka pasur një rritje të konsiderueshme, sipas tyre, të aktiviteteve kriminale nga mafia shqiptare në Holandë.





