Policia e Durrësit ka identifikuar autorët e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr. 17 të qytetit bregdetar, ku pati të shtëna me armë zjarri.
Nga burimet zyrtare mësohet se janë shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Specislistët për Hetimin e Krimeve kanë bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasëve E.H., 33 vjeç dhe Sh.Gj., 21 vjeç, banues në lagjen nr 8 Durrës, pasi dyshohet se këta dy shtetas gjatë një konflikti me njëri-tjetrin për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri duke i shkaktuar dëmtime mjetit në pronësi të shtetasit A.J.,53 vjeç, të cilin e kishte të parkuar aty.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Sh.Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa fishekë. Policia vazhdon punën intensive për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe gjetjen e armës së zjarrit .
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.





