Policia e Vlorës ka arrestuar 23-vjeçarin i cili i shiti armën e zjarrit të miturit që vrau gjyshin e tij disa muaj më parë.

“Ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim R.L., 23 vjeç, banues në fshatin Risili, Vlorë.

Strukturat e Policisë Vlorë kanë bërë kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi pasi dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët për shitjen e armës së krimit në lidhje me ngjarjen e 27 shkurtit, kur si pasojë nipi vrau me armë gjyshin e tij.

Materialet do ti referohen Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” kryer në bashkëpunim”, njofton policia.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një tjetër shtetas i shpallur në kërkim, Xh.H., 16 vjeç, banues në Vlorë.

Ndalimi i tij u bë mbi bazën e vendimit penal datë 02.07.2018, nëpërmjet të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar atë, me 1 vit e 6 muaj burgim për vjedhje në bashkëpunim.