Një emigrant nga Durrësi është arrestuar në Itali pasi u kap me 3.5 kg drogë në makinë.
Media italiane “Ansa” raporton se durrsaku i moshës 26 vjeç u kap me kokainë të fshehur në sediljen e pasme të pasagjerit. Droga ishte e konfeksionuar në 3 pako të presuara hermetikisht dhe nëse do të dilte në treg, kapte shifrat e mbi gjysmë milionë euro.
Ndalimi i 26-vjeçarit shqiptar, i cili jetonte në rajonin italian të Emilia Romagnës, u bë pas një kontrolli të policisë rrugore në territorin e provincës së Chietit, raporton “DurrësLajm”.
Autoritetet italiane kanë denoncuar dhe një tjetër shtetas shqiptar, 30 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor me 26-vjeçarin.
Hetimet zbardhën se ai ishte takuar pak orë më parë me të arrestuarin. Në automjetin e tij luksoz u gjet një sasi e konsiderueshme para kesh.





