Matteo Salvini mblodhi këtë të hënë partitë e ekstremit të djathtë nga mbarë Europa në Milano, me shpresën për të krijuar një aleancë të pazakontë nacionalistësh përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian të muajit të ardhshëm.

Takimi i organizuar nga zv.kryeministri dhe njëherazi ministër i Brendshëm i Italisë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqendrës tregtare të vendit, është zhvilluar nën sloganin “Drejt një Europe me sens të përbashkët… Popujt ngrihen”.

Populistët europianë, përfshi edhe “Lega Nord”-in antiemigracion të Salvinit, shpresojnë të krijojnë atë që e quajnë grup “sovranësh” prej të paktën 70-80 deputetësh në Parlamentin Europian prej 751 vendesh, pas zgjedhjeve të 26 majit. Sipas Salvinit, deri në 20 parti mund t’i bashkohen bllokut hipotetik.

Mes pjesëmarrësve të paktë të konfirmuar ishte “Alternativa për Gjermaninë”, e Gjermanië, si dhe Partia Popullore Daneze dhe partia konservatore finlandeze “FP”. Mes mungesave të rëndësishme janë ato të Marine Le Pen, nga “Tubimi Kombëtar” (ish-Fronti Nacional); partia qeverisëse Ligj dhe Drejtësi e Polonisë (PiS),si dhe partia “Fidesz” e kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Edhe pse ky i fundit ka shprehur admirim për Salvinin, ai ka thënë se partia i përket grupit të qendrës së djathtë në PE, “PPE/EPP”.