Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike të shënuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj hëne, ku një banesë në fshatin Breg të Pukës u përfshi nga zjarri dhe për pasojë një çift bashkëshortësh gjetën vdekjen.

Viktimat janë Petrit Ndoj, 46 vjeç dhe Dava Ndoj, 35 vjeçe, të cilët po flinin në katin e dytë të shtëpisë, por që nuk arritën të dilnin të gjallë. Por katër fëmijët e tyre dhe gjyshërit e moshuar, arritën të dilnin duke pësuar vetëm lëndime të lehta.

I zoti i shtëpisë, Pal Gjoni ka treguar gjithë sa ka parë, duke thënë është terrorizuar sapo ka parë flakët dhe ka thirrur djalin që të nxirrte të shoqen e paralizuar.

“U zgjova se po kërcisnin tjegullat. I thirra djalit por nuk mu përgjigj. Gëzova kur pashë fëmijët në oborr”, tregoi i moshuari i tronditur.

Aktualisht hetimet janë në vijim për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Banesa e familjes u përfshi nga zjarri, në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke bërë që të dy bashkëshortët të gjejnë vdekjen.

Fëmijët e çiftit më i madhi vetëm 15 vjeç, arritën të shpëtonin veten duke dalë nga shtëpia të terrorizuar, pasi u hodhën nga dritarja.

U desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për të shuar zjarrin, ku dhe u gjetën trupat e pajetë të bashkëshortëve.