Një shtëpi është djegur në Pukë duke i marrë jetën çiftit të bashkëshortëve Petrit dhe Dava Ndoj 40 dhe 35 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Va Shënkoll’ të fshatit Breg. Banesa u përfshi nga flakët rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të hëne, teksa bashkëshortëtpo flinin në katin e dytë kur ka rënë zjarri.
Dëmtime të lehta kanë pësuar dhe katër fëmijët e tyre, të cilët janë hedhur nga dritarja e katit të dytë. Fëmijët, më i madhi 12 vjeç, kanë ariritur të shpëtojnë mrekullisht nga flakët gjyshen e moshuar, e cila ishte e paralizuar dhe nuk kishte mundësi të ecte.
Alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë 82-vjeçari Pal Gjoni, i cili po ashtu ka arritur të dalë pa dëmtime.
Forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Fushë Arrëzit kërkuan rreth dy orë për gjetjen e trupave të çiftit nën mbetjet e zjarrit.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave.





