Anthony Çako, djali i Inva Mulës dhe Pirro Çakos, për pak i ka shpëtuar vdekjes, histori personale që ka vendosur ta përjetosojë në këngën e tij të parë me titull “Alive” (Gjallë).

Gjatë ditës së djeshme, ai publikoi klipin me emrin e artit Tchako Music, ku binin në sy skenat fantastike, duke e sjellë veten si njeriu i parë dhe i vetëm i natyrës, që përballet me magjinë dhe rrezikun e së panjohurës. Në skenat e fillimit të klipit nuk mungojnë as kornizat e fotove familjare, ndërkohë që ai i bie pianos, imazhe këto që i japin klipit edhe më shumë nota autobiografike.

Kështu, Anthony Çako, i lindur dhe rritur në Paris, pret me këtë klip shiritin e inaugurimit të hyrjes në muzikë, duke ndjekur kështu rrugën e prindërve apo gjyshërve të tij. Edhe pse në një rrymë tjetër muzikore, në atë elektronike, Anthony mund të themi se ka pamjen e tij shumë klasike, sa i takon stilit të të kënduarit dhe veshjes.

E për këtë produksion të parë ai është pyetur nga ndjekësit se ku është frymëzuar për këtë këngë dhe si pa dashje ka zbuluar një ngjarje të rëndë, që për pak do i merrte jetën.

“Nuk kisha asnjë titull për këngën dhe unë me përfaqësuesit e shtëpisë diskografike udhëtuam jashtë Parisit për të regjistruar videon. Kur u kthyem nga udhëtimi, avioni për pak u përplas, kështu që vendosëm ta quanim këngën “Alive” (Gjallë)”, shkroi ai.

Kënga publikohet disa muaj pasi ai provoi për herë të parë magjinë e skenës së Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ku bëri debutimin e parë si këngëtar, i ftuar në Festivalin e Këngës.

Finalja e Festivalit të Këngës në RTSH kishte një moment surprizë, atë të ngjitjes në skenë të Anthony-t, djalit të sopranos dhe drejtoreshës artistike të Festivalit, Inva Mula, nga martesa me Pirro Çakon. Në këtë prezantim të parë u shoqërua nga babai i tij, kantautori i njohur. Djali i artistëve, që jeton në Paris, erdhi me performancën-homazh për gjyshin e tij Gaqo Çako, që u nda vitin e kaluar nga jeta.