Njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, dhe bashkëshortja e tij MacKenzie kanë rënë dakord për një marrëveshje rekord divorci që kap shifrat e të paktën 35 miliardë dollarëve.

MacKenzie do të ruajë pjesën e saj të aksioneve prej 4 për qind në gjigantin “online” të shitjeve me pakicë, “Amazon”, të themeluar prej bashkëshortit të saj, ndërkohë që do t’i duhet të heqë dorë nga interesat e saj në gazetën “Washington Post” dhe firmën e udhëtimeve në hapësirë të Bezosit, “Blue Origin”.

Përpara marrëveshjes, Bezos kishte 16.3 për qind të aksioneve në “Amazon”. Ai do të ruajë 75% të kontrollit të kësaj pakete aksionesh, me 25% që do t’ia kalojë bashkëshortes, ndërkohë që kjo e fundit i ka transferuar të gjitha të drejtat e votës tek ish-bashkëshorti i saj.

Çifti në fjalë, prindër të 4 fëmijëve, ka qenë bashkë që përpara se Bezos të themelonte “Amazon” në vitin 1994, ndërsa MacKenzie ishte një ndër pjesëtarët e parë të stafit të firmës “online”.