Aktivistja antikorrupsion Zuzana Kaputova ka fituar zgjedhjet presidenciale në Sllovaki, duke u bërë kështu gruaja e parë Presidente e vendit.
Kaputova, e cila nuk ka pothuajse asnjë përvojë politike, mundi një diplomat të nivelit të lartë, Maros Sefçoviç, i nominuar nga partia qeverisëse.
Ajo i cilësoi zgjedhjet si një betejë mes së mirës dhe së keqes, nisur nga fakti se u mbajtën rreth një vit nga vrasja e gazetarit investigativ Jan Kuçiak. Ky i fundit po hetonte lidhjet mes qeverisë dhe krimit të organizuar kur u ekzekutua së bashku me të fejuarën e tij në Shkurt të 2018-s.
Zonja Kaputova citoi vdekjen e Kuçiak si një nga arsyet përse kishte vendosur të garonte për Presidente. Në raundin e dytë të balotazhit, ajo ka siguruar 58 për qind të votave ndërsa rivali Sefkoviç 42 për qind.
Kaputova fitoi famë si avokate, kur për 14 vjet udhëhoqi çështjen kundër ngritjes së një vendgrumbullimi ilegal mbeturinash dhe doli fituese. 45 vjeç, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve, ajo është anëtare e partisë Sllovakia Progresiste, që nuk ka asnjë mandat në Parlament.





