"Dërgo njerëz se vrava nënën", kanë qenë fjalët e 50-vjeçarit Nezim Demollari i cili paraditën e sotme vrau nënën e tij të moshuar në lagjen 14 të qytetit të Korçës. BalkanWeb shkruan se pas krimit, autori ka telefonuar vëllain që jeton në Tiranë për t'i treguar aktin e rëndë.

Banorët, të tronditur nga ngjarja, thonë se 80-vjeçarja Nazmie Demollari, që u vra nga djali ishte një grua e mirë që i kishte rritur me sakrifica 4 fëmijët e saj. Ajo jetonte vetëm me djalin e saj pasi dy fëmijët e tjerë jetojnë në SHBA dhe një në Tiranë.

Autori Nezim Demollari njihet nga komshinjtë si një njeri problematik dhe mbi të gjitha përdorues i pijeve alkoolike. Djali i viktimës ka dhunuar sistematikisht të ëmën ndërsa mësohet nga fqinjët se edhe ata kanë qenë dëshmitarë të shumë rasteve të tilla. Kunata e viktimës e shokuar në një prononcim ndër të tjera pohon se autori duhet të varet.