Pak ditë pasi u vetëdorëzua pasi ishte në kërkim për vrasjen në ish-Bllok, Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës ka lënë qelinë.

Gjykata ka vendosur mëngjesin e kësaj të hëne masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Matën, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”. Mata u dorëzua mbrëmjen e së premtes i shoqëruar edhe nga avokati.

Pasi u vetëdorëzua, Mata ka dëshmuar se nuk ka lidhje me vrasjen e Fabiol Gaxhës, plagosjen e Ervis Martinajt dhe Elion Hatos. Duke mohuar se ka shtënë me armë, Mata theksoi se është larguar i frikësuar, duke pretenduar se e kanë sulmuar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit të 2018, ku nga një përplasje mes bandash, mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, dhe u plagos Ervis Martinaj dhe Elion Hato. Të përfshirë në këtë ngjarje, janë edhe Fabiol Alushi, Geldo Hoti, dhe truproja e Matës, Meviol Billo. Ky i fundit  i cili dyshohet se ka qëlluar Fabiol Gaxhën, vazhdon të jetë në kërkim.