Punëtori shqiptar Arjan Cekani, rezident në Casirate d’Adda, i cili mbeti i plagosur rëndë në një aksident në punë ditën e hënë, fatkeqësisht ka humbur jetën. Ai ishte i shtruar në spitalin Niguarda në Milano, por ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Shqiptari kishte tentuar të zhbllokonte makinerinë e punës me të cilën punonte, por krahu i tij u kap në ingranazh dhe u thith nga makineria. Ngjante si skena e një filmi horror ajo që u shfaq para syve të forcave ndërhyrjes së shpejtë, të cilët ndërhynë në firmën e pastiçerisë “Piuma d’Oro”.

Arjan Cekani, 40 vjeç, me origjinë shqiptare, baba i dy fëmijëve ishte rezident në Casirate, i punësuar me një kontratë me afat të caktuar për këtë periudhë me ngarkesë prodhimi.

E pranishme në vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti i frikshëm ishte dhe bashkëshortja e viktimës, e cila nga tmerri që pa me sy, humbi menjëherë ndjenjat.

Arjani kishte shkuar në Itali njëzet vjet më parë, e më pas kishte kaluar një jetë me sakrifica për t’i dhënë familjes së tij një të ardhme.