Gjykata e Shkodrës ka njohur vendimin e ardhur nga Belgjika për Safet Bajrin, i cili rezulton i dënuar me 8.9 vite burg në shtetin belg. Në mungesë të ekstradimit, Safet Bajri do vuajë dënimin në Shqipëri. Safet Bajri, apo siç njihet ndryshe si i “Forti i Shkodrës” u arrestua mbrëmjen e 21 shtatorit 2018 në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet.
Vendimi ndaj tij për të kryer dënimin në Shqipëri u dha nga gjyqtari Sokol Shehu.
“I forti” i Shkodrës është dënuar më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg. Ai njihej si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg.
Mbi këtë organizatë rëndonin akuzat se ishte përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin.Prangosja e Safet Bajrit u realizua pas një operacioni masiv policor të FNSH-së në bashkëpunim me forcat RENEA-s, të cilët finalizuan kapjen e 11 të fortëve, të gjithë anëtarë të bandës kriminale “Bajri” në Shkodër gjatë operacionit të koduar “Oaz”.





