Biznesmeni Ervin Mata, i kërkuar për vrasjen në ish-Bllok i ka dhënë fund arratisë pas 5 muajsh duke u vetëdorëzuar në polici mbrëmjen e djeshme në shoqërinë e avokatit të tij. Sipas asaj që raporton “BalkanWeb”, Mata nuk ka folur shumë në polici, por ka thënë se u dorëzua pasi nuk ka lidhje me vrasjen e Fabiol Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt e Elion Hatos.
“Nuk kam qëlluar me armë zjarri. Jam larguar i frikësuar pas të shtënave, por nuk kam qëlluar, mua më sulmuan”, ka thënë Mata.
Ai po ashtu është shprehur se nuk ka konflikte me asnjë person.
Për ngjarjen vijon të qëndrojë në burg biznesmeni tjetër Ervis Martinaj, i cili nga ekzaminimi i telefonit celular rezultoi se kishte organizuar njerëz të armatosur për përleshjen në ish-Bllok, ndërsa Geldo Hoti, Ajaks Boshnjaku, Redi Popesku, Fabiol Alushi u lanë të lirë pas arrestimit. I lirë u la edhe Eljo Hato, i plagosur bashkë me Martinajn.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia e Tiranës sqaron se mbi Ervin Matën rëndojnë akuzat e “Vrasjes në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Shkak për ngjarjen, sipas dëshmive të administruara nga grupi hetimor, dyshohet të ketë qenë një borxh i pakthyer dhe prishja e pazareve të drogës. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e opinionit publik për shkak se Ervin Mata është i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, lidhje së cilës duket se vetë Elvana i ka dhënë fund.
Njoftimi i policisë së Tiranës për Matën
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ekzekutuan urdhërin e ndalimit për shtetasin:
E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi E. M., është person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të parashikuara nga nenet 79 dh, 22, 25 dhe 278 të Kodit Penal.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.





