Një gomone, 2 automjete tip "Fuoristradë" pa targa dhe 30 bidona të mbushur me benzinë, të cilat dyshohet se do përdoreshin për trafik droge janë sekuestruar nga policia e Fierit në një banesë në pronësi të L.M në fshatin Qarrë.

Njoftimi nga policia:

Kontrolle të imtësishme dhe të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narktotike, dhe sekuestrimin e mjeteve motorike dhe atyre lundruese që mund të përdoren për të trafikuar lëndë narkotike.

Në vijim të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike, nisur nga informacionet e marra si dhe nga kontrollet e përbashkëta të zhvilluara nga shërbimet e policisë së Fierit dhe atyre të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, në fshatin Qarrë, pranë banesës së shtetasit L.M, u gjetën të fshehura dhe u sekuestruan një mjet i fuqishëm lundrues tip Gomone, 2 automjete tip Fuoristradë pa targa dhe 30 bidona të mbushur me benzinë.

Si rezulat i veprimeve të kryera u kap dhe u ndalua shtetasi B.D, banues në Fier pasi është pronari i gomones si edhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë si autorë të dyshuar të implikuar në këtë vepër penale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorrike”.