Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin "PERIFERIA", ku ka prangosur një 19-vjeçar i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh të ndodhura më parë në qytetin bregdetar.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës si rezultat i një pune të mirëorganizuar kanë arritur të dokumentojë me prova shkencore veprimtarinë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës për 5 vjedhje të ndodhura më parë.
Në kuadër të operacionit të koduar "PERIFERIA", është bërë ndalimi i shtetasit L.D.,19 vjeç, banues në lagjen 14 Durrës, si autor i dyshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest me burg", bazuar në provat e grumbulluara nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë.
Si rezultat i hetimeve të kryera dyshohet se ky shtetas ka kryer në periferi të qytetit të Durrësit kryesisht gjatë orëve të natës pesë vjedhje banesash, konkretisht:
Gjatë muajit dhjetor 2018, janar dhe shkurt 2019, në lagjen nr 14 Durrës ka vjedhur me thyerje 5 banesa ku ka marrë varëse floriri, televizorë, fshesë me korent, aparate celular, rroba, tapete e sende të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit L.D., për veprën penale "Vjedhja", parashikuar në nenin 134/2 të Kodit Penal.





