Dy ditë më parë u thashë mirupafshim dy kushërinjve të mi, që u nisën drejt Gjermanisë. Jo për një udhëtim turistik, por për të punuar në të zezë atje. Një shok i përbashkët u kishte thënë se aty ku punonte kishte nevojë për krah pune dhe u nisën me shpresën se do të gjejnë atje, atë që u mungonte në Shqipëri. Një punë, një pagë për të garantuar një jetesë normale dhe një perspektivë për të ardhmen. Të dy janë djem 26-27 vjeçarë.

Me urimin që t’u shkojë mbarë në vend të huaj dhe që zgjedhja që ndërmorrën t’u garantojë një të ardhme më të mirë, nisa të mendoj se pjesën më të madhe të kushërinjve më të afërt i kam të gjithë jashtë shtetit, në Itali, Francë, Kanada e tani edhe në Gjermani.

Kanë ikur në periudha dhe mosha të ndryshme. Disa me eksodet e 91-92, kur ende ishin mjaft të vegjël për të kuptuar se ç’po ndodhte, disa në vitin e mbrapshtë 1997, disa për të kryer specializim profesional dhe zgjodhën të qëndronin atje sepse vendi i huaj u ofronte më shumë mundësi karriere dhe vlerësim maksimal për formimin profesional (gjë që shpesh e ke të pamundur ta marrësh në Shqipëri nëse nuk tund teserën e një partie në vend të gradave shkencore). Disa kanë ikur 3-4 vitet e fundit. Ikën pavarësisht se kishin një vend pune, edhe pse jo të paguar sipas formimit profesional dhe aftësive. Ikën për një shprese më të mirë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, megjithëse në një vend të huaj u duhet ta nisin nga zero.

Dhe si unë janë shumica e durrsakëve apo banorëve nga krahinat e tjera që i janë shtuar Durrësit në këto 28 vite tranzicion. Secili nga ne ka familjarë apo të afërm jashtë vendit, të ikur në periudha të ndryshme kohore, por kryesisht për arsye ekonomike. Si unë është pjesa dërrmuese e shqiptarëve, disa që jetojnë me brengën e fëmijëve apo familjarëve që kanë jashtë, e disa të tjerë që kanë ikur apo po mendojnë të marrin rrugët e Evropës apo SHBA-së e Kanadasë.

Emigracioni është një fenomen i njohur në të gjithë Evropën. Në vendin fqinjë, Itali, me të cilin Durrësi ka lidhje të hershme, një pjesë e madhe e të rinjve po ikin sepse nuk gjejnë punë sipas formimit profesional që kanë ose sepse ndihen të keqpaguar në vendin aktual të punës. Por gjithsesi paralele nuk mund të hiqen mes Italisë apo vendeve të tjera të zhvilluara të rajonit dhe Shqipërisë, që vitet e fundit më shumë se kurrë po ndjen se po i ikën pjesa më vitale e popullsisë. Në një kohë kur të rinjtë po ikin në masë dhe lindjet po bien në mënyrë të frikshme, e ardhmja e Shqipërisë duket e zymtë.

Vendi me popullsinë më të re në Evropë deri para viteve 90, ndërsa tashmë me një parashikim të frikshëm të OKB-së, sipas të cilit deri në vitin 2100 Shqipëria mund të katandiset me vetëm 860 mijë banorë. Këmbanat e alarmit po bien fort 5 vitet e fundit. 400 mijë shqiptarë të larguar nga Shqipëria këto vitet e fundit janë dëshmi e qartë e keqqeverisjes së këtij vendi. Me mijëra të rinj dhe familje që trokasin në dyert e Evropës për të kërkuar azil, sepse vendi i tyre u ka vrarë shpresën.

Qindra mijëra që ikin pa e kthyer kokën pas, sepse lënë pas krahëve një vend që qeveriset nga propaganda dhe që nuk prodhon të mira materiale, shpresë dhe dinjitet për njerëzit që nuk e kanë lidhur jetën, punën dhe karrierën e tyre me flamurin e një partie. Lënë pas një vend ku tesera e partisë në pushtet është garanci për një vend pune dhe për vegjetimin në administratën shtetërore të individëve që në vend të marrjes së lëvdatave për kontributin e dhënë në punë ngrihen në karrierë nga shkalla e lëpirjes së shefit, drejtorit, drejtuesit lokal të partisë, drejtorit të kabinetit, zv/ministrit, ministrit apo dhe kryeministrit të këtij vendi.

Ata që marrin rrugën e emigracionit janë ata që nuk e njohin artin e lëpirjes, apo nuk duan ta praktikojnë atë. Ata që ikin jashtë janë ata që nuk e njohin apo nuk duan ta praktikojnë artin e vjedhjes së gjithçkaje që është shtetërore dhe pronë e përbashkët që duhet ta gëzojmë të gjithë. Ata që ikin janë ata më guximtarët, që tentojnë ta nisin nga zeroja me shpresën se e ardhmja do t’u buzëqeshë.

Ata që ikin jashtë janë ndoshta më të mirët, ndoshta më të mirë edhe se ne që qëndrojmë këtu duke bërë tifozllëk për ata që janë në pushtet apo në opozitë, apo që deri diku bëjmë indiferentin dhe vazhdojmë rutinën e përditshme.

Ata që ikin, shpresoj që të kthehen në të ardhmen, për ta bërë më të mirë këtë vend…

M.B.