Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un, kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje për denuklearizimin e gadishullit Korean, pas samitit të dytë mes tyre në Vietnam këtë të enjte.
Më herët, të dy udhëheqësit kishin shprehur besim për progres në përmirësimin e marrëdhënieve dhe në çështjen kyçe të denuklearizimit, gjatë bisedave që kanë pasur në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.
“Dy udhëheqësit diskutuan mënyra të ndryshme sesi të avancohen konceptet e denuklearizimit dhe ato ekonomike. Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk u arrit në këtë takim. Dy ekipet respektive shohin nga e ardhmja për një takim të radhë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
Trump pritej të merrte pjesë në një “ceremoni të përbashkët nënshkrimi marrëveshjeje” me Kim Jong-unin në përfundim të bisedimeve të samitit të tyre, sipas asaj që kishte njoftuar Shtëpia e Bardhë më herët.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Koreja e Veriut të dorëzojë të gjithë arsenalin bërthamor dhe të heqë dorë nga programet raketore, Peniani kërkon heqjen e sanksioneve amerikane, sikurse edhe mbështetjen bërthamore për aleatët aziatikë si Koreja e Jugut apo Japonia.
Ky ishte samiti i dytë mes dy krerëve të shteteve, pas atij të parit në Singapor, në qershor të vitit të kaluar.





