Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur një delegacion shqiptaro-amerikan, si dhe anëtarin e Këshillit Bashkiak në qytetin e Nju Jorkut, Mark Gjonaj.
Pas takimit, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është zotuar që të forcohet lidhja mes shqiptarëve dhe miqësia e përhershme me aleatët ndërkombëtarë.
“Në një bashkëbisedë të hapur për zhvillimet në Kosovë, pozitën dhe rolin e faktorit shqiptar në gjeopolitikën ballkanike, u pajtuam se ruajtja e unitetit për të drejtën dhe të vërtetën tonë garanton avancimin e interesave tona në rajon dhe më gjerë. Shqiptarët, si pjesë e vizionit euro-atlantik, janë jetësisht të angazhuar për stabilitet dhe paqe të përhershme. Kosova është zotuar që lidhja dhe dashuria e ndërsjellë e shqiptarëve të forcohet dhe miqësia e përhershme me aleatët të ruhet si pasuri e jona më e çmuar. Për lartësimin e vlerave shqiptare kudo në botë, z. Mark Gjonaj i dhurova Medaljen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.”-u shpreh Haradinaj.