Një helikopter është rrëzuar këtë të mërkurë, e si pasojë kanë humbur jetën 7 pasagjerë, në mesin e të cilëve edhe ministri i Turizmit në Nepal, Rabindra Adhikari.

Helikopteri po udhëtonte nga distrikti lindor i Taplejung për në Terathum kur u rrëzua në një pyll pasdreken e së mërkurës. Media lokale raportoi se Rabindra Adhikari po inspektonte ndërtimin e një aeroporti në Taplejung.

Zëdhënësi i policisë Uttam Raj Subedi tha se helikopteri shpërtheu në flakë pas rrëzimit. 

Aksidente të tilla ajrore nuk janë të rralla në Nepal. Kompanive ajrore me bazë në Nepal u ndalohet fluturimi në hapësirën ajrore të Bashkimit Europian si pasojë e mosplotësimit të kritereve të sigurisë.