Finalizohet një tjetër operacion policor i koduar "Rrjeta", në fushën e tregtimit të drogërave të forta. Në pranga ranë dy shtetas që tregtonin heroinë në doza të vogla në gjithë zonën e Tiranës dhe në afërsi të shkollave. Sekuestrohet 1 kg e 33 gr lëndë narkotike e dyshuar Heroinë.
Operacioni i ndjekur me metoda speciale të hetimit prej nëntorit të vitit 2018, bën me dije policia.
U kapën dhe u arrestuan shtetasit:
E. S., 45 vjeç, lindur në Tiranë, me pseudonimin "Peshku", i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
F. Z., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga burime të ndryshme për aktivitetin kriminal të këtyre shtetasve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në nëntor të vitit 2018 referoi materialet në Prokurori ku dhe u regjistrua procedimi penal.
Pas një pune të mirfilltë profesionale me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u bë e mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të drogërave të forta, të shtetasve nën hetim E. S., me pseudonimin “PESHKU” dhe F. Z., të cilët shisnin heroinë në formë dozash në gjithë zonën e Tiranës, me klientelë fikse.
Në funksion të këtij procedimi penal, bazuar në provat e grumbulluara Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, më datë 25.02.2019, caktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, ndaj shtetasve E. S., dhe F. Z., pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh në bashkëpunim”, të parashikuar nga nenet 283/2 të Kodit Penal.
Gjatë ekzekutimit të urdhërave të ndalimit, Policia gjeti dhe sekuestroi në banesën e shtetasit E.S., një kilogramë e 33 gramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, si dhe një peshore elektronike.
Nga hetimet rezultoi se veprimtaria e tyre kriminale kryhej në fushën e shitjes së lëndës narkotike “Heroinë”, veprimtari të cilën e kryenin pranë disa shkollave të mesme.
Pas tre muaj hetimesh nga ana policore, ku vijonte procedimi me metoda speciale të hetimit, më datën 28.01.2019, një pjesë e veprimtarisë kriminale të këtij grupi u trajtua në një nga emisionet investigative.
Pavarësisht kësaj Policia në bashkëpunim me Prokurorinë vijoi procedimin deri në finalizimin gjatë mesditës së djeshme, duke arrestuar autorët dhe sekuestruar lëndën narkotike.
Materialet proceduriale do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve E. S., dhe F. Z.





