Raportet e mediave nga Rusia bëjnë të ditur se gazetari dhe analisti politik, Igor Malashenko, është gjetur i vdekur në Spanjë më 25 shkurt. Malashenko ka qenë bashkëpronar i kompanisë televizive NTV në vitet 1990. Ai ka qenë edhe ish-shef i Radio Televizionit shtetëror rus Ostankino.
Më 1996-n, Malashenko ka qenë këshilltar kryesor i fushatës presidenciale për rizgjedhje të presidentit Boris Yeltsin. Gazetari Malashenko ka themeluar edhe rrjetin Media-Most në 1997-n.
Ai gjithashtu ka udhëhequr televizionin RTVI si dhe ka kryesuar fushatën zgjedhore të gazetares dhe prezentueses televizive, Ksenia Sobchak për zgjedhjet presidenciale ruse në mars të vitit 2018. Ajo kishte fituar rreth 1.7 për qind të votave krahas presidentit Vladimir Putin, i cili kishte fituar shumicën. /REL





