Qytetarët e Durrësit janë të dyjëzuar, ndërsa nuk mungojnë as personat indiferentë, përsa i përket situatës së nxehtë në të cilën ndodhet aktualisht politika shqiptare.

Opozita braktisi parlamentin, pavarësisht thirrjeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve. Por si e konsiderojnë durrsakët vendimin e djegies së mandateve, të drejtë apo të gabuar?

Të pyetur nga "DurrësLajm", disa qytetarë thanë se ishte hap i gabuar, disa të tjerë e shohin si të drejtë këtë lëvizje pasi varfëria ka pllakosur vendin, ndërsa disa të tjerë, nuk kanë aspak interes për atë që ndodh përreth tyre.

Prej ditës së djeshme, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka zyrtarisht opozitë, pasi të gjithë deputetët kanë hequr dorë nga mandatet e tyre.

Të mbështetur nga mijëra protestues, të cilët qëndruan për disa orë para Kuvendit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, LSI-së dhe aletatëve të tjerë, u "zhveshën" nga kostumi i deputetit për t'u barazuar me qytetarët e thjeshtë.

Përmes protestës paqësore, ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë, të cilën e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

G.D.