Në vijim të informacionit, për goditjen e një tentative ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë 4 shtetas: 

• A.S, 47 vjeç;
• Z.H, 56 vjeç;
• A.M, 50 vjeç;
• M.S, 30 vjeç.

Policia njofton se, në dalje të Republikës së Shqipërisë u paraqitën 2 mjete, tip kamion. Gjatë kontrollit të imtësishëm si edhe skanimit të mjeteve, u gjet dhe sekuestrua një sasi 1074,2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore u arrestuan drejtuesit e mjeteve dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar të tyre, si të implikuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa mjete, sasi monetare dhe telefona.

Materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.