Zbardhen detaje te reja nga krimi i rende në familje, me viktimë një grua 36-vjeçare. Nëna e një vajze 3 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti gardist, pas dyshimeve për tradhti.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit në rrugën “Vangjel Capo”, në zonën e Alliasit. Autori i dyshuar i krimit, Alket Arapaj, 44 vjeç, kolonel në Gardën e Republikës, teksa bëhej gati për t’u paraqitur në shërbim, ka debatuar me të shoqen, Ervilma Seferaj. Në debat e sipër e ka qëlluar atë tri herë me armën e shërbimit.
Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar sallës operative të Policisë së Tiranës. “Kam vrarë gruan, hajdeni më arrestoni”.
Kjo ka qenë telefonata që ka vënë në lëvizje fillimisht shërbimet e Komisariatit nr.4, që kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Më pas aty kanë mbërritur edhe oficerët e Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë, që kanë nisur veprimet hetimore.
Ndërsa autori është prangosur duke u transportuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burimet thanë se në apartamentin e çiftit, është gjetur edhe arma e krimit, pistoleta e shërbimit të gardistit që ekzekutoi bashkëshorten.
NGJARJA
Alket Arapaj është zgjuar herët dje në mëngjes dhe ka veshur uniformën e Gardës, pasi do të paraqitej në shërbim. Ka marrë pistoletën e punës, që e mbante me vete edhe në shtëpi dhe ende nuk kishte dalë nga dhoma e gjumit, kur ka nisur një debat me të shoqen, Ervilma Seferaj.
Edhe ajo ishte zgjuar si zakonisht, për të bërë punët e shtëpisë, të përgatiste vajzën për në kopsht dhe më pas të shkonte edhe vetë në punë. Ditët e fundit mes çiftit kishte pasur debate, por dje situata është acaruar edhe më shumë. Në debat e sipër, gardisti 44-vjeçar ka nxjerrë armën e shërbimit që e kishte vënë në brez dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të gruas, duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar Policisë, duke rrëfyer krimin. Ndërsa u ka treguar se është efektiv i Gardës së Republikës. Për këtë arsye, në vendin e ngjarjes, përveç shërbimeve të Policisë, kanë qenë të pranishëm edhe oficerë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të cilët kryen arrestimin në flagrancë.
AUTORI I KRIMIT NË FAMILJE, 21 VJET PJESË E GARDËS SË REPUBLIKËS
Alket Arapaj, 44-vjeçari që ekzekutoi bashkëshorten mëngjesin e djeshëm, prej 21 vitesh ishte pjesë e Gardës së Republikës. Ai kishte përfunduar arsimin e lartë ushtarak në vitin 1997 dhe që pas asaj kohë i ishte bashkuar Gardës.
Së fundmi, ai mbante gradën Kapiten. Prej disa vitesh, ai shërbente në Njësinë nr.3 të Gardës, te Pallati i Brigadave. Ndërsa më herët kishte qenë edhe shoqërues i PLSH-ve (Personaliteteve të Larta Shtetërore). Në rrethin shoqëror dhe familjar Alket Arapaj njihet si person i sjellshëm dhe praktikues i fesë islame, ndërsa edhe gruaja ishte e mbuluar.
Arapaj ishte i pajisur me armën e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit. Nga ana tjetër, burime nga Garda e Republikës, thanë se Arapaj ishte një efektiv i rregullt, i përpiktë dhe pa masa disiplinore. Edhe bashkëshortja e tij, e cila mbeti e vrarë dje, ishte me arsim të lartë, e diplomuar për Histori-Gjeografi.
PANORAMA





