Nga Ben Andoni

Nëse do të shikosh sesa vlerë kanë pasur për të gjitha qeveritë shqiptare projektet arkeologjike, atëherë mund të marrësh si kampion vëzhgues, Amfiteatrin e Durrësit. Vepra e madhe e inxhinierisë, datuar dy shekuj pas Krishtit, është një nga më të rëndësishmet e kohëve antike për të gjithë arealin e Mesdheut. Për Durrësin, që në momentin kur është zbuluar në vitin 1966 prej arkeologut Vangjel Toçe, mbetet objekti më i rëndësishëm arkeologjik, ashtu si edhe për të gjithë vendin tonë dhe mbase i jashtëzakonshëm edhe për vetë trashëgiminë e Gadishullit Ballkanik.

Referuar specialistëve është gërmuar deri 80%, ndërsa ka mbetur i pagërmuar dhe 20% i tij, vëllim, që mendohet se do të nxjerrë në dritë me shumë gjasa dhe plot gjëra të tjera të pagjetura deri më sot. Fatkeqësisht, prej vitit 1990, kohë kur Shqipëria mori një drejtim tjetër sa i përket sistemit ekonomiko-shoqëror, ekspeditat kanë munguar dhe ç’është më e keqja duket se edhe punët që janë bërë në amfiteatër kanë qenë sporadike.

Pak kohë më parë, Ministria e Kulturës e tregoi si sukses heqjen e pak shtëpive nga objekti, por duhet thënë se ende sot e kësaj dite nuk ka asnjë impakt të këtij vendimi. Pak më të vështirë të gjithë procesin e bëjnë edhe autoritetet, që kanë lidhjen me arkeologjinë. Që do të thotë kërkimi shkencor varet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kurse veprimtaria konservuese varet nga Ministria e Kulturës. Është e vërtetë se nëse do të konfuzosh punë, duhet të krijosh institucione dhe ndërvarësi dhe një gjë e tillë ndodh pak a shumë edhe në Shqipëri me rastin e Amfiteatrit. Krijimi i shumë instancave, sidomos me këtë që po ndodh me arkeologjinë tonë, që është e hapur ndaj grabitjeve, keqbërësve por edhe e shumë gjërave të tjera, ka bërë që të mendohet se nuk ka shumë mendim të përqendruar për pasuritë tona arkeologjike. Dhe, është për të ardhur keq, se administrimi si duhet i Butrintit bëri që njerëzit e kulturës por sidomos të turizmit të kuptojnë se mund të fitosh pastër dhe bindshëm edhe nga arkeologjia. E madje, jo pak. Përvoja botërore dhe mënyra sesi i menaxhojnë pasuritë arkeologjike fqinjët tanë, ka treguar se po të dish dhe të menaxhosh kulturalisht atëherë mund të krijosh jo thjesht vlera por edhe më shumë.

Amfiteatri i Durrësit ka fatin se është afër kryeqytetit, por është dhe i vendosur në një qytet që mbushet me turistë. Duket se veç instancave dhe vetë Bashkia e qytetit nuk ka ndonjë interesim për të, pasi me vite ka kontribuar në këtë kaos i cili lidhet me këtë objekt.

Amfiteatri duket si një objekt i përfunduar për shumicën e shqiptarëve, ndërkohë që objekti i cili u ndërtua në kohën e sundimit të perandorit Trajan, mund të impononte zhvillimin turistik të qytetit dhe më shumë akoma të bëhej objekti, ku mund të vërenim realisht zhvillimin tonë.

Kjo ka pak gjasa të ndodhë sepse fatkeqësisht nuk kuptohet vlera e këtij objekti, që na jep kaq qytetari në arkeologji dhe mund të ndikonte që Durrësi në planet tona mund të bëhej kryeqyteti turistik i vendit. Kuptohet se kjo nuk ka ndodhur, sepse arkitektura antike e këtij qyteti është dëmtuar, kurse njerëzit e arkeologjisë shqiptare nuk mund të bëheshin dot zëdhënës të punës së tyre dhe mbrojtës të trashëgimisë së madhe të shqiptarëve. Më shumë akoma, me katrahurën që është bërë tek ne, zor të besosh se ndonjëherë do të zbulohen krejtësisht konturet e kësaj vepre mahnitëse inxhinierike, që fati e ndërtoi ndër troje tona. Dhe, fjalët më cinike nuk mjaftojnë për ngushëllim pasi kur lirimi i tij s’u bë gjatë kohës së diktaturës, ka shumë pak gjasa të vlerësohet ndonjëherë, se ai do të zbulohet ndonjëherë…qoftë për të mirën e vetë objektit, por edhe për të mirën e turizmit shqiptar. /(Milosao)