Prokuroria e Durrësit ka thelluar hetimet lidhur me rastin e 13-vjecares në Kavajë, e cila u abuzua seksualisht nga shokët e shkollës. Krahas hetimit për të dyshuarit, organi i akuzës ka shtrirë hetimet edhe mbi stafin pedagogjik të shkollës "Rilindja" që frekuentonte vajza si dhe drejtorinë Arsimore në Kavajë.
Institucioni arsimor, u informua për skandalin dhe për pesë ditë me radhë heshti duke mos denoncuar krimin në polici. "Hetimet ndaj shkollës janë duke u kryer me përparësi", thonë burimet e prokurorisë.
Në vendimin e gjykatës së Durrësit thuhej se pasi u informua për ngjarjen, mësuesja e thirri nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës.
Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj.
Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithcka kishte ndodhur. Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici.





