Gertjana Daçi

Dita e dasmës, padyshim është një ndër ditët më të rëndësishme të çdo njeriu dhe si e tillë, duhet të jetë e kuruar në detaje, shumë afër perfektes. Me evoluimin e kohës, evoluoi edhe mënyra e organizimit të dasmave falë agjencive të eventeve të cilat hynë edhe në vendin tonë dhe u përqafuan nga të gjithë ata që kishin arsye për të festuar.

Anisa Musta, administratore e "Jolie Event", një ndër agjencitë më të njohura në qytetin e Durrësit që ofron të gjitha shërbimit e nevojshme për evente të rëndësishme, si dekorimi, kamer, fotograf, kostume popullore apo ndriçim profesional, tregon për "DurrësLajm" se përgjatë 7 viteve të fundit, krijimi i festave të dasmave, fejesave, ditëlindjeve, apo darkave private, kanë pësuar ndryshime të mëdha.

Viti që lam pas, ishte mjaft i ngjeshur me ditë të shënuara për shumë durrsakë sipas Mustës e cila zbulon edhe vendin e tyre të preferuar për të kryer kryesisht ceremonitë martesore, nga ku duket panorama e bukur e qytetit bregdetar.

Sipas Mustës, personat që zgjedhin "Jolie Event" për gëzimin e tyre, nuk kërkojnë thjesht një dekor bazik por fillimisht kërkojnë të përcaktojnë një tematikë të caktuar, si psh një dasëm vjeshte apo rustike, e më pas bëhet përzgjedhja e detajeve të cilat janë të shumta falë risive që sjell kjo industri.

Të krijosh një event, për shumë kënd mund të duket diçka e lehtë dhe mjaft e bukur por nga kjo intervistë mësojmë se asgjë nuk është aq e lehtë sa duket, ama mbetet e bukur, nisur nga lumturia që iu dhuron atyre që të besojnë ditët e shënuara!

Anisa ndan me ne periudhën që i duhet çdo lloj feste për t’u organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu për shembull, përgatitjet për organizimin e një dasme, që konsiderohet event i madh, fillohen që një vit më parë, ndërsa organizimi i ditëlindjeve për fëmijë dhe të rritur kërkon më pak kohë.

14 shkurti, dita e madhe e të dashuruarve është afër dhe sigurisht "Joli Event", është pranë të gjitha çifteve që duan të surprizojnë partnerët e tyre.

Dekori i një dhome me qirinj dhe trëndafila e mbizotëruar nga e kuqja e dashurisë, mbetet tradicionale ndonëse administratorja Musta tregon se krijimi i një darke romantike edhe në ambientet e shtëpisë krahas restoranteve, ka nisur të preferohet nga dashuruarit.

Darkat private mes çifteve, janë të kërkuara jo vetëm me rastin e Shën Valentinit por në çdo kohë, e falë magjisë së dekorit, arrijnë të surprizojnë të dashurit e zemrës!