Blogerja e njohur Estela Ujka, asnjëherë nuk ka dashur të jetë vetëm një imazh i bukur në rrjet, që të frymëzojë stile veshjesh për mëngjes, mbrëmje apo festa.
Gjithmonë ka dashur të jetë shumë më shumë se një imazh i bukur blogu, sepse me jetën e saj do të jetë një shembull i mirë i të pranuarit të vetes, ndaj edhe sa herë i është dhënë rasti, ka ndarë me miqtë e saj në rrjet shumë copëza nga jeta personale.
Tani që blogerja është bërë nënë për herë të tretë, e gjen veten edhe më pranë ndjekësve të saj, por sidomos pas një sëmundjeje aspak të lehtë për t’u përballuar, e sheh veten edhe më të fortë ndaj sfidave të jetës – që gjithmonë janë të papritura.
Damar Brooklyn, vajza e tretë e Estelës, ka disa muaj që ka ardhur në jetë. Ndryshe nga dy motrat e saj, ajo u lind në Amerikë. Siç tregoi Estela pasditen e sotme në “Rudina”, vajza mori këto dy emra shumë domethënës sepse e tillë ishte edhe historia e shtatzënisë së saj: “Unë doja që të ishte një emër shqiptar dhe një emër që të mbaronte me bashkëtingëllore. Por doja edhe një emër të veçantë. Të gjithë i kishim kundër për Damar, sepse na thoshin është një emër i fortë. Tani i thërrasim baby Damar, por kur të rritet, do të mësohet. Ka lidhje me damarët që kemi në trup. Unë nuk dua që ajo të harrojë rrënjët e veta. Nërsa Brooklyn, spese aty më shpërthyen ujërat… ", – tha Estela.
Mëmësia është një fazë e njohur për të, ndaj edhe për herën e tretë është edhe më e thjeshtë. Por nuk ishte as shtëtzënia dhe as koha pas saj më e vështira. Estela kaloi një periudhë të vështirë për shkak të një mase tumorale që i doli në gisht. Siç tregoi ajo për “Rudina”, operacionin e parë e kreu në një prej spitaleve private në Tiranë, por, për fat të keq, rezultoi pa sukses:
“Unë bëra një ndërhyrje në gisht që, për fat të keq ishte një tumor mes beninjit dhe malinjit. Nëse ndërhyrja do të kryhej siç duhej, rezultati do të ishte ndryshe. Por, për fat të keq, nuk rezultoi e suksesshme dhe mjekët këtu nuk më dhanë asnjë përqindje siguri që nuk do të përsëritej. Ky lloj tumori kishte një specifikë: mundësitë që të bëhej mirë ishin pas ndërhyrjes së parë. Të mos mjaftoheshin vetëm me biopsinë e masës së hequr, por edhe pjesës tjetër për të parë nëse nuk do të përsëritej më. Pasi mbeta shtatzënë, gjërat u lanë dhe pas lindjes, u përsërit.”
Por vendimi për ta bërë ndërhyrjen e dytë në Shqipëri ishte i pamundur, shton më tej Estela, kështu që mori rrugën drejt Amerikës edhe një herë: “Herën e dytë në Amerikë ndërhyrja ishte radikale. Gishti iku, por rreziku për jetën nuk ekziston dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ishte shumë periudhë e vështirë, por mjekët atje punuan shumë, sidomos me gjendjen time psikologjike. Nuk m’u desh shumë kohë për rikuperim, por me ndihmuan shumë të gjithë. Familjarët janë ata që e përjetojnë më shumë, por duhet të jesh më e fortë edhe për ata…” – tha Estela.
Sot, rreziku ka kaluar. Gishti, për fat të keq nuk është, është amputuar, por Estela nuk ndihet më aq keq për këtë. Forcën, natyrisht, ajo e ka marrë më shumë te tri vajzat, shpresa më e madhe gjatë atyre muajve të vështirë, që u bënë edhe më shumë pas mjekimit në Shqipëri. Gjithçka tani kaloi… Blogerja e njohur është rikthyer në Tiranë, vazhdon profesionin e saj normalisht, madje me një shpresë të re që jeta ia dhuroi për të mos e humbur kurrë besimin dhe forcën brenda vetes.





