Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi gjatë fjalimit të përvitshëm mbi “gjendjen e kombit” se do të zhvillojë një samit të dytë bërthamor me udhëheqësin e Koresë së Veriut, gjatë këtij muaji.
Në adresimin në Kongres përpara kombit, me temë “Zgjedhim madhështinë”, ai u zotua sërish të ndërtojë murin në kufirin me Meksikën. E ndërsa bëri apel për unitet politik, presidenti republikan tha gjithashtu se “hetimet e njëanshme dhe qesharake” do të dëmtonin prosperitetin e Shteteve të Bashkuara.
Si kundërpërgjigje për këtë të fundit, demokratët e akuzuan Trumpin se po braktis vlerat e Amerikës.
Fjalimi i tij erdhi vetëm pak net pasi ai ra dakord t’i jepte fund mbylljes së pjesshme më jetëgjatë të qeverisë federale në SHBA, pasi demokratët refuzuan të financonin murin kufitar me Meksikën. Agjencitë federale rrezikojnë të mbyllen sërish, nëse plani i shpenzimeve nuk rakordohet deri në fund të javës së ardhshme.
Në fjalimin 82-minutësh, presidenti tha gjatë natës së të martës se do të takohej me Kim Jong-unin në Vietnam më 27-28 shkurt.





