Një aeroplan i vogël është rrëzuar ditën e dielë mbi një shtëpi në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Autoritetet amerikane thanë se pesë persona humbën jetën, duke përfshirë pilotin dhe katër të tjerë që ndodheshin brenda banesës.

Identiteti i viktimave ende nuk është bërë i ditur. Ndërsa dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe kanë pësuar djegie. Dëshmitarët kanë thënë se avioni me dy motorë u shpërbë në ajër përpara se të rrëzohej në periferi të Los Angelos dhe të përplasej në një shtëpi 2-katëshe.

Mbetjet e aeroplanit të vogël janë shpërndarë nëpër rrugë, ndërsa 72 zjarrfikës u angazhuan për të shuar flakët. Shkaqet e rrëzimit të aksidentit nuk dihen dhe një hetim është duke u kryer.