Një 24-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Tiranë pasi lëvizte me shpejtësi të madhe, pa patentë dhe rrip sigurimi në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut”.
Policia bën me dije se i riu me iniciale D.Sh., i cili kishte thyer masën e sigurisë "Arrest shtëpie", është denoncuar nga qytetarët.
NJOFTIMI I POLICISË
Vijon të rritet ndërgjegjësimi dhe besimi i komunitetit tek Policia, për të denoncuar rastet e paligjshmërisë.
Denoncohet nga qytetarët, në pranga 24-vjeçari, i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe kishte thyer urdhërin e gjykatës "Arrest shtëpie".
Njësia Operacionale e Sigurisë Rrugore pas sinjalizimit nga qytetarët, në aksin rrugor “Kopshti Botanik – Rrethrrotullimi i TEG-ut” ka konstatuar një drejtues mjeti, i cili po qarkullonte në mënyrë jonormale dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit.
Shenjës së patrullës për të ndaluar, drejtuesi nuk i është bindur dhe patrulla është vënë në ndjekje të tij. Në mes të ndjekjes drejtuesi e ka braktisur mjetin, por është kapur nga punonjësit e Njësisë Operacionale në tentativë për t'u larguar.
Drejtuesi i mjetit shtetasi D. Sh., rezultoi i papajisur me leje drejtimi, pa vendosur rripin e sigurimit, si dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se për këtë drejtues mjeti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi" për veprën penale të "Kanosjes me armë".
Policia e Shtetit falënderon qyetarët për besimin dhe fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ose përmes rrjeteve sociale në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, çdo rast të paligjshmërisë.





