Një operacion i autoriteteve ligjzbatuese italiane i koduar “Obsesioni”, ka goditur një rrjet trafiku ndërkombëtar droge, raportuan këtë të hënë mediat italiane. Kokaina importohej në Itali nga Amerika e Jugut, ndërsa hashashi nga Markou dhe marijuahana nga Shqipëria.

Një nga personat e arrestuar është shqiptarja Elisabeta Kotja, 40 vjeçe, e cilësuar nga hetuesit së bashku me dy femra të tjera si “ndërmjetësuese e rangut të lartë me eksponentët e karteleve të Amerikës Jugore” për trafikun e kokainës. Kotja, sipas të njëjtave burime, është e fejuara e Salvatore Costantino, një figurë kryesore në këtë trafik ndërkombëtar droge. Hetimet kanë zbuluar se pesë grupe kanë bashkëpunuar mes tyre në trafikun e drogës. Një nga këto është grupi italian i udhëhequr nga vëllezërit Costantino, mes tyre edhe Salvatore, i dashuri i Elisabetës.

Hetimet

25 persona janë arrestuar në vazhdën e këtij operacioni me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës për llogari të klanit mafioz të Ndranghetas Mancusi di Limbadi.

Operacion antimafia i koduar “Obsesioni” është shtrirë në rajonet e Kalabrisë, Lombardisë e Puglias duke zbardhur një trafik të madh lëndësh narkotike nga Kolumbia, Venezuela, Republika Dominikane e Holanda drejt Italisë dhe Evropës.

Sasi të konsiderueshme kokaine bliheshin drejtpërdrejtë nga trafikantët e drogës në Amerikën Jugore e më pas shpërndahej e shitej në territorin italian.

Një rol të rëndësishëm në këtë trafik droge luanin gratë të konsideruar kokat lidhëse të këtij trafiku.

Në raportin e Antimafias italiane thuhet se shqiptarja Elisabeta Kotja lindur në Shqipëri më 19.09.1979 konsiderohet si një ndërmjetëse e nivelit të lartë me eksponentët e kartelave të drogës në Amerikën Latine. Mes të arrestuarve janë dhe dy femra venezuelase të njohura në panoramën e trafikut ndërkombëtar të drogës; Garcia Rebolledo Clara Ines e Forgione Gina.

Një nga të arrestuarit është dhe kolumbiani Murillo Figueroa Julio Andres, një trafikant mjaft i njohur droge që në të shkuarën ka bashkëpunuar me superbosin e kokainës Pablo Escobar, kreu i kartelit Medellin në Kolumbi.

Hetimet prej dy vitesh të antimafias italiane kanë zbardhur një sipërmarrje të vërtetë krimi në trafikun e drogës në nivel ndërkombëtar.

Janë sekuestruar mbi 3000 kg hashash që ka mundur t’i sjell klanve të Ndranghetas një përfitim prej 4-5 milionë euro që më pas investoheshin në trafikun e kokainës.

Për mbrojtjen e aktivitetit të tyre të drogës, përdornin dhe armët dokumentuar nga hetimet e antimafias të cilat kanë zbardhur rolin e italianit Cuçia Carlo, nga Kalabria, një aktor i dorës së dytë në serinë televizive Gomorra, me detyrën e gjetjes së armëve që viheshin në dispozicion të anëtarëve të këtij organizimi kriminal.

Bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar me grupe trafikantësh nga Amerika e Jugut, Hollanda, Afrika e Veriut e Spanja, ka bërë që mafia kalabreze të shtrirë territorin e influencës së saj në trafikun e lëndëve narkotike në të gjithë Evropën duke rritur biznesin e fitimeve të cilat i investonte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.