Dy aksidente të njëpasnjëshme janë regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të martës në rrugën Prrenjas-Librazhd. Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i këtyre dy aksidenteve. Aksidenti fatal i ndodhur në Prrenjas i ka marrë jetën 54-vjeçarit Andrea Vreto.

Ai është përplasur tragjikisht nga një automjet “Mitsubishi” me drejtues Haxhi Çollaku. Ky i fundit ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur për vdekje 54-vjeçarin Vreto. Policia e Prrenjasit ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po verifikon shkaqet e aksidentit.

Ndërkohë, në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd, një mjet tjetër ka humbur kontrollin dhe ka aksidentuar një këmbësor, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Edhe drejtuesi i mjetit të përfshirë në aksident u shoqërua në Komisariatin e Policisë Librazhd.