Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut ka njoftuar se ambasadori i Koresë së Veriut në Itali është fshehur. Besohet se diplomati i lartë i Penianit në shtetin italian ka kërkuar azil nga një vend perëndimor, i paidentifikuar. Jo Song-gil mendohet të jetë djali ose dhëndri i një prej zyrtarëve të nivelit më të lartë në Korenë e Veriut.
Diplomati koreano-verior rezulton të jetë fshehur para më shumë se 1 muaji. Mandati i tij si ambasador ka përfunduar në nëntor 2018 dhe u arratis nga rezidenca diplomatike në fillim të nëntorit. Bashkëshortja e Jo Song-gil mendohet që të jetë me të. Ministria e Jashtme e Italisë ka thënë për BBC se nuk ka asnjë kërkesë për azil nga ana e ambasadorit të Koresë së Veriut.
Jo Song-gil 48 vjeç, qenë ambasador në Romë i shtetit komunist që nga tetori i vitit 2017, pasi Italia dëboi ambasadorin e atëhershëm Mun Jong-nam. Diplomatët e Koresë së Veriut, që ndodhen në shtete të caktuara dhe të kufizuara në numër, duhet të lënë në Penian disa anëtarë të familjes së tyre për të parandaluar dezertimin e tyre. Por, Jo Song mendohet të ketë qenë në Romë me gruan dhe fëmijët, duke lënë të kuptohet se ai mund të jetë nga një familje e privilegjuar apo me ndikim në Korenë e Veriut.





