Kryebashkiaku i Tlaxiacos, një qytet në Oaxaca të Meksikës, është qëlluar për vdekje vetëm 2 orë pasi mori detyrën ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën, një prej të cilëve rëndë.
Menjëherë pas betimit në detyrën e re, Alejandro Aparicio po shkonte të kryente inspektimin e tij të parë si kreu i qeverisë lokale kur u qëllua për vdekje.
Zyra e prokurorit tha se sulmi me armë ndodhi rreth mesditës, teksa kryebashkiaku sëbashku me këshilltarët dhe stafin e tij po ecte në rrugë pas ceremonisë së betimit.
Aparicio u qëllua në gjoks dhe u dërgua me shpejtësi në spital, por mjekët nuk ishin në gjendje ta shpëtonin si pasojë e plagëve të rënda.
Sipas “RT” ka pasur raportime të ndryshme lidhur me numrin e atentatorëve. Raportimet paraprake thanë se 2 persona hapën zjarr me armë, ndërsa disa burime të tjera thanë se autori ishte 1 dhe ai ishte arrestuar.





