“A besoni tek babagjyshi” është një nga pyetjet më të shpeshta që u bëhet fëmijëve në botë, por kur këtë pyetje e bën një president ajo merr më shumë vëmendje.
Kështu ndodhi natën e Krishtlindjeve kur Donald Trump së bashku me bashkëshorten e tij Melania u përgjigjeshin telefonatave të fëmijëve që donin të dinin mbi udhëtimin e Santa Klausit.
Në një nga bisedat telefonike, një djalë 7-vjeçar pyeti presidentin se çfarë do t’i sillte babagjyshi. Por kreu i shtëpisë së Bardhë i preu fjalën në mes dhe e pyeti “Ti beson akoma te Babagjyshi? Je shtatë vjeç dhe kjo është e pakuptimtë, apo jo?”
Të gjithë fëmijët që folën me Trump kishin shkruar tek Norad, agjencia qeveritare që gjurmon udhëtimin e Santa Claus për Krishtlindje. Për dekada me radhë, Shtëpia e Bardhë bëhet pjesë e atmosferës festive duke iu përgjigjur telefonatave të fëmijëve. E teksa telefonata me Trump do duhej t’ia kishte zbukuruar krishtlindjet fëmijëve, ndoshta me këtë pyetje ai e prishi magjinë e tyre.





