Ndërsa rrugët në Durrës po ngushtohen për makinat e po zgjerohen trotuaret, Bulevardi “Dyrrah” që ishte i pari investim në mandatin e dytë nga ana e kryebashkiakut Vangjush Dako, është amortizuar plotësisht.
Bulevardi kryesor në Durrës është i bërë thuajse i pakalueshëm nga automjetet.
I ndërtuar mes shumë polemikave për shkak se projekti i tij ngushtonte gjerësinë e rrugës për qarkullimin e makinave (që më pas u mor si shembull për një numër tjetër rrugësh në Durrës), ky investim nuk rezulton si më i suksesshmi në infrastrukturën rrugore të qytetit bregdetar.
Kjo për shkak, jo vetëm të kostos shumë të lartë, por më shumë për modelin e keq që më pas u adoptua në shumë rrugë kryesore të Durrësit, si atë të plazhit “Pavarësia” e më pas në të gjithë rrugët e qytetit.
Aktualisht në këtë bulevard duhet vënë dorë urgjentisht, sepse kalldrëmi është prishur përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës prej 850 metra linearë, ndërsa në vend të gurëve të vegjël dekorativë me thellësi 10cm, janë shtuar gropat në rrugë.
Në kohën e ndërtimit, u tha se gurët e vegjël dekorativë ishin rezistentë ndaj qarkullimit të makinave. Por megjithëse qarkullimi i mjeteve ka qenë i kufizuar, madje kohët e fundit shumë drejtues e shmangin këtë aks për shkak të degradimit, kalldrëmi është dëmtuar qysh herët nga ndërtimi. Qytetarët e Durrësit thonë se prerja e pemëve dhe ngushtimi i rrugëve vetëm sa e ka shtuar problematikën.
Cilësia e punimeve bëri që gurët dekorativë me të cilët u shtrua Bulevardi “Dyrrah” të dëmtohen edhe pse u thanë kundërta.
Investimi për rikonstruksionin e Bulevardit "Dyrrah" ka kushtuar 137 milion lekë. Gjatësia e rrugës së shtruar është 850 m linear. Sipërfaqja e shtruar me gurë dekorativ është 2.588m² dhe sipas burimeve nga pushteti lokal vetëm kjo sipërfaqe do t'i nënshtrohet riparimit.
K.H.





