Grabitja e parave të Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës i ka kushtuar lirinë dy punonjësve të policisë private të ngarkuar me transportin e tyre. Pasditen e së premtes u grabitën nga 3 persona të maskuar dhe të armatosur 7.5 milion lekë të reja, ndërsa paratë po transportoheshin nga Drejtoria e Transportit Rrugor drejt një banke të nivelit të dytë.

Policia bën të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit F.S. 46 vjeç dhe A.Gj. 55 vjeç, të dy punonjës në shoqëri sigurimi private.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personave që realizuan grabitjen.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

•F.S. 46 vjeç, banues në Durrës, punonjës në shoqëri sigurimi private ;

• A.Gj. 55 vjeç, banues në Durrës,  punonjës në shoqëri sigurimi private.

Shtetasit e mësipërm janë arrestuar pasi dyshohet të kenë konsumuar veprën penale"Shpërdorimi i  detyrës" ku ditën e djeshme, në lagjen nr.14 Shkozet dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjetit (shoqëri private sigurimi) që po trasportonte lekët e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e autorëve  të dyshuar.