Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” kanë publikuar informacionin mbi vlerësimin tatimor, mënyrat si bëhet, rastet kur kryhet, cilat janë mënyrat alternative dhe baza ku mbështeten këto të fundit.

Detyrimet tatimore të personave tatimpagues vlerësohen sipas dispozita ligjore të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Vlerësimi tatimor bëhet në dy mënyra:

  • të kryera nga tatimpaguesi
  • të kryera nga Administrata Tatimore

Tatimpaguesi kryen vetëvlerësim tatimor në rastet e parashikuara nga ligji, i cili përcakton gjithashtu llogaritjen, pagesën, mënyrën dhe afatin. Të tilla janë deklarimet e tatimit mbi vlerën e shtuar, të tatimit mbi fitimin, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël etj.

Gjithashtu, vetëdeklarimi bëhet dhe për të ardhurat, që tatimpaguesi rezident shqiptar ka realizuar jashtë territorit të Republikes së Shqipërisë.

Vetëdeklarime bëhen edhe në rastet e parapagimit të Tatimit mbi Fitimin dhe të Tatimit të thjeshtuar mbi Fitimin e biznesit të vogël, ku llogaritja dhe afatet janë të parshikuara me ligj. Llogaritja e kësteve të parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël apo pagesa e detyrimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, bazohet në mënyrën e parashikuar në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” dhe udhëzimit në zbatim të tij “Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”.

Në të gjitha rastet e sipërpërmendura, Administrata Tatimore, ka autoritetin dhe detyrimin për ta mbikëqyrur gjithë procesin e vlerësimit të bërë nga tatimpaguesi. Mënyra e dytë e vlerësimit tatimor bëhet nga Administrata Tatimore, sipas parashikimeve dhe në rastet e parashikuara në ligjin nr. 9920 datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Vlerësimi bëhet në rastet kur:

  • Administrata Tatimore ka ushtruar kontroll dhe vlera e detyrimit e deklaruar nga tatimpaguesi është e pasaktë
  • Administrata Tatimore konstaton se detyrimi tatimor i dhënë në deklaratën tatimore, është i pasaktë.
  • Personi i tatueshëm nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën tatimore
  • Personi i tatueshëm nuk lejon hyrjen për ushtrimin e kontrollit tatimor te autorizuar Vlerësimi i bërë nga Administrata Tatimore hyn në fuqi 10 ditë kalendarike pas datës kur ky vlerësim është marrë ose konsiderohet të jetë marrë nga tatimpaguesve. Barra e provës 2 në lidhje me pasaktësinë e vlerësimit tatimor të kryer nga Administata Tatimore bie mbi tatimpaguesin. Megjithatë, tatimpaguesi në të dy rastet e parashikura më lart, mund të paraqesë deklaratën tatimore dhe vlerësimi i bërë nga Administrata Tatimore bie poshtë dhe anulohet sapo paraqitet deklarata apo duke lejuar hyrjen për ushtrimin e kontrollit në ambjentet ku ushtrohet veprimtaria ekonomike. Nëse detyrimi tatimor mbahet në burim nga një agjent i mbajtjes së Tatimit në Burim dhe tatimpaguesi nuk është subjekt i kërkesës së dorëzimit të deklaratës tatimore për tatimin e mbajtur në burim, mbajtja e tatimit është vlerësim tatimor. Kjo mënyrë përdoret kryesisht për Tatimin mbi të Ardhurat Personale nga pagat dhe shpërblimet e tjera, për kontributet e sigurimeve shoqërore, për interesat bankare apo ato të përfituara nga letrat me vlerë, dividendët, huatë dhe qiratë, kalimin e pronësisë, e drejta e autorit, pronësia intelektuale etj..

E drejta për të përdorur mënyrat alternative të vlerësimit tatimor

Nëpërmjet kontrolleve tatimore, Administrata Tatimore ka të drejtë të kryejë verifikimin e deklarimeve tatimore për Tatimin mbi Fitimin, për TVSH-në dhe për të gjitha llojet e tjera të detyrimeve tatimore, përfshirë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në kushte e rrethana të caktuara, Administrata Tatimore, ka të drejtë të përdorë mënyrat alternative të vlerësimit të detyrimeve tatimore të personave të tatueshëm. E drejta për përdorimin e mënyrave alternative në vlerësimin e detyrimeve tatimore përdoret në rastet e mëposhtme:

  • kur personi i tatueshëm, për një periudhe të caktuar tatimore nuk ka deklaruar detyrimet e tij sipas përgjegjësisë së tij tatimore.
  • kur gjatë një kontrolli tatimor të kryer nga Drejtoria Rajonale Tatimore, rezulton se personi i tatueshëm ka paraqitur një apo disa deklarata tatimore me të dhëna të pasakta ose të falsifikuara.
  • kur gjatë një kontrolli tatimor të kryer nga Drejtoria Rajonale Tatimore, nuk gjenden regjistrimet dhe dokumentacioni i duhur për përcaktimin e detyrimit tatimor, ose kur këto regjistrime dhe dokumente kanë mangësi të tilla që nuk lejojnë paraqitjen e situatës realë te personit të tatueshëm dhe llogaritjen e detyrimeve të tyre tatimore.
  • kur personi i tatueshëm nuk lejon hyrjen për kontroll, vlerësimi tatimor bëhet direkt nga zyra.
  • kur nuk bashkëpunon me kontrollin tatimor të Administratës Tatimore dhe nuk vë në dispozicion të kontrollit, informacionin e kërkuar dhe dokumentet e tjera të nevojshme për llogaritjen e detyrimit te tij tatimor.
  • kur gjatë një kontrolli tatimor konstatohet se personi i tatueshëm, hyn në transaksione me persona të lidhur, jo në bazë të parimit të vlerës së tregut, ose hyn në transaksione pa efekte ekonomike thelbësore
  • kur gjatë një kontrolli tatimor konstatohet se personi i tatueshëm, hyn në transaksione shit/blerje me para në dorë dhe kur vlera e transaksionit e kalon shifrën prej 150,000 lekë.
  • kur gjatë një kontrolli tatimor konstatohet se personi i tatueshëm, nuk ka përdorur rregullisht pajisjet fiskale.

Në çdo rast, kur tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklarat tatimore për një periudhë të caktuar, ai njoftohet nga Administrata Tatimore me anë të një “Letër Kujtesë”, për mos përmbushjen e këtij detyrimi. Administrata Tatimore i dërgon tatimpaguesit “Letër Kujtesën” brenda 5 ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit ligjor të deklarimit, duke i kujtuar tatimpaguesit të dorëzojë brenda 10 ditëve të ardhshme kalendarike, deklaratën e padorëzuar, që i përket një periudhe tatimore. Në rast se tatimpaguesi nuk bën dorëzimin e deklaratës tatimore brenda afateve të parashikurara nga ligji pas marrjes së “Letër Kujtesës”, Administrata Tatimore kryen vlerësimin sipas metodave të përcaktimit alternative.

Baza e mënyrave alternative të vlerësimit tatimor

Të dhënat kryesore ku bazohet gjykimi i Administratës Tatimore, por pa u kufizuar vetëm në to, janë:

  • të dhëna direkte nga deklaratat tatimore të tatimpaguesit apo transaksione të tjera të ngjashme të tatimpaguesit
  • të dhëna direkte, dokumentacione e informacione të marra nga palët e treta
  • të dhëna, dokumentacione e informacione të marra nga transaksione të ngjashme të kryera nga tatimpagues të tjerë
  • të dhëna të tjera indirekte, si konsumi energjisë, karburantit, lëndëve të para, normativave të ndryshme, etj.
  • çmimet sipas të dhënave të disponueshme në doganë ose çmimet e referencës së shitjes me pakicë që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
  • të dhëna për çmimet e tregut të mallrave dhe shërbimeve të ngjashme, çmimet e referencës së qirave, siç përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave për këtë qëllim.