Prej disa ditësh në urgjencën e spitalit të Durrësit me një urdhër sa absurd dhe qesharak është ndërprerë nga ana e infermierëve aplikimi i ampulave për të gjithë ata që janë në mjekim.

Një urdhër i drejtorisë së Spitalit Rajonal ndalon çdo infermier të kryejë injeksione për pacientët që paraqiten në urgjencë. Ata infermierë që shkelin këtë urdhër largohen nga puna si masë për shkeljen e urdhërit.

Të shumtë janë pacientët që nuk shtrohen në spital por e kryejnë mjekimin në shtëpi dhe i drejtohen urgjencës për të kryer injeksionet. Në çdo rast në urgjencë janë edhe më të sigurt sepse pas çdo komplikimi të mundshëm aty marin edhe ndihmën e parë. Një urdhër i tillë ka çuar tek privatët të cilët kanë pritur që të vihej në  zbatim një vendim i tillë.

Injeksionet mund të kryheshin edhe në ambulancën qëndrore, por aty deri në drekë punohet dhe pas asaj ore dyert mbyllen. Qytetarë të shumtë thonë se sidomos në mbrëmje nuk kanë ku të shkojnë të bëjnë gjilpërat pasi janë mbyllur edhe spitalet private.

Ata thonë se janë drejtuar disa herë në drejtori për ankesë por drejtoresha ka qenë jashtë shtetit. Është mirë që ky problem të gjejë zgjidhje pasi shqetësimeve të shumta të qytetarëve, iu shtohet  edhe një urdhër i tillë.

Pacientët jo vetëm që përballen me radhë por edhe ato shërbime që mernin, tani j'ua ndaluan. Spitali nëse do tarifë të caktojë një të tillë sepse te privati qytetarët do paguajnë, por pse këtë shërbim e ndaloi me urdhër?

Pacientët përballen prej minimalisht pesë vitesh me mungesë të mjekëve. Nga materniteti tek pediatria, kirurgë kardiologë etj., mungojnë në Spitalin Rajonal.

Thuajse të gjithë banorët e qytetit bregdetar dhe rrethinat e tij si Shijaku, Juba, Ishmi, Gjepalaj, Sukthi etj., vijnë për të marrë shërbimin mjekësor, duke krijuar radhë të gjata nëpër zyrat e mjekëve dhe korridoret e spitalit dhe poliklinikës.