Nga Enver Bytyçi
Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e pestë të saj. Ajo nisi si një rrufe në "qiellin e pastër" të Tiranës dhe u përhap si llavë orteku. Diskutimet dhe hamendësimet për këtë protestë janë të shumta. Dhe akoma më të shumta janë manipulimet dhe aventurat e devijimit nga qëllimi kryesor i saj. Duke qenë pjesmarrës e njëkohësisht vëzhgues I zhvillimit të kësaj proteste mund të jap disa mendime rreth saj.
Së pari, kjo protestë e studentëve të Tiranës dhe Shqipërisë ka shkaqe të thella sociale, ekonomike e financiare, të cilat kanë në themel dështimin e qeverisjes, dmth të reformave të saj në arsim. Si e tillë, sado që të thuhet se protesta nuk është politike, zgjidhja e kërkesave të studentëve do të jetë në fund një zgjidhje politike. Të vetëdijshëm për këtë të vërtetë forca të caktuara, sidomos të pushtetit, po përpiqen ta instrumentalizojnë atë. Në emër të pavarësisë së protestës nga politika, po përfiton me ndërhyrjen e saj politika shtetërore, ajo e cila në fund të fundit do të duhet të gjejë zgjidhjen politike.
Kjo ndërhyrje e politikës së qeverisjes ka për qëllim uljen sa më shumë të kostos politike, ekonomike e financiare të zgjidhjes. Sepse qeveria e sotme mund t'ia falë me një kontratë PPP 18 milion euro një sportelisti biznesmen, por nuk e sheh të udhës që "qytetarët shqiptarë të paguajnë për ata që studiojnë"?! Ky është absurdi më i madh që kemi dëgjuar në këto pesë ditë, përveç fyerjeve dhe etiketimeve të shumta kundër studentëve.
Së dyti, nga shembulli që dhamë më sipër provon se studentët po përballen me një qeveri të korruptuar e për pasojë edhe të inkriminuar. Kjo përballje nuk mund të jetë ndryshe, veçse një përballje politike. Sado të fshihet koka në rërë, e vërteta nuk mund të fshihet! Për këtë arsye studentët kanë kuptuar thelbin e korrupsionit në arsim. Ligji i ri për arsimin ka shkurtuar fondet për universitetet publike dhe ndihmon në mënyrë korruptive universitetet private, edhe pse këto janë ngritur me qëllim fitimi. Manovra e drejtimit të universiteteve private me borde dhe e financimit të tyre me fondacione është thjesht fshehja e faktit se qeveria me ligjin e ri për arsimin ka favorizuar universitetet private në dëm të universiteteve publike. Por reformat dhe ligjet janë procese dhe akte politike. Kërkesa për abrogimin e atij ligji do të vijë në rendin e kërkesave të studentëve protestues, sepse asnjë zgjidhje nuk mund të vijë pa rikthyer kujdesin politik dhe financiar të shtetit tek arsimi universitar publik.
Së treti, metoda e shfryerjes së zemërimit studentor që po përdoret është huazuar nga ajo e vitit 1991, kur "Vullnetarët e Enverit" u bënin karshillëk protestave për demokraci. Mesa duket regjimet qenkan të gjitha njësoj, jo vëtem kanë të njëjtën mendësi, por përdorin të njëjtat eksperienca për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e pamerituar e të korruptuar! Kjo po ndodh sot, pas 28 vitesh! Paradoksi i Rilindjes është se riktheu në Shqipëri kohën e diktaturës së Ramiz Alisë! Ndërkohë, ndryshe nga koha e Ramiz Alisë mediat kazan të Edi Ramës janë aktive më shumë sesa ishte TVSH e atëhershme për t'i dhënë vend përçarjes dhe konfrontimit midis studentëve pro dhe kundër.
Nëse kjo situatë do të vazhdojë edhe më tej atëherë mund të shohim studentë që konfrontohen midis tyre, gjë që ishte parandaluar në masën më të madhe edhe më 1991 kur shqiptarët ishin ndarë në dy kampe armiqësore! Mos e vrisni dëlirësinë e protestës studentore, sepse vrisni shpresën e kombit!
*Autori – lektor në Departamentin e Shkencave Politike, në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës