Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka reaguar lidhur me skandali për kompaninë “DH Albania”, që ka fituar tenderin prej 18 milionë Eurosh për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe në kryeqytet.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, ministri bën me dije se i është drejtuar autoriteve amerikikane për verifikimin zyrtar.
Reagim i ministrit:
Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq:
Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën.
ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1.
Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.
Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.
Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëherë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë.
Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shtetërore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat.





