Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, ka reaguar në lidhje me vdekjen e trinjakëve në Bulqizë.
Në një njoftim për shtyp bën me dije se “lidhur me ngjarjen e ndodhur në spitalin e Bulqizës, sqarojmë opinionin publik si më poshtë: Nëna me inicialet E.R. 31 vjeç është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme. Nëna e re është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohshme 24-javëshe.
31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.
Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare. Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.
Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trinjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”.
Ngjarja:
Një nënë shtatzënë i ka humbur trinjakët e saj për shkak të mungesës së mjekëve gjinekologë. Në muajin e gjashtë të shtazënisë ajo u paraqit në spitalin e Bulqizës, por atje nuk ka patur as mjekë dhe as sallë operacioni dhe u asistua vetëm nga një infermiere. Ajo arriti të lindë njërin prej trinjakëve, por humbi dy të tjerët. Po ashtu edhe fëmija tjetër nuk arriti të jetonte.
Një gjinekolog me staf mjekësor mbërritën nga Tirana me helikopter në Bulqizë, por ka qenë shumë vonë për të mbajtur në jetë trinjakët.
Mësohet se gruaja me emrin Enkeleda Rexhepi, 30 vjeçe, është nga Ostreni, një zonë e thellë e Bulqizës dhe për të shkuar deri në spital është transportuar me kalë për rreth 1 orë dhe më pas me automjet.





