Për të gjithë ata persona që ende nuk kanë saktësuar adresën reale të banesës së tyre, qeveria ka vendosur pezullimin e masës së gjobës, për 6 muajt e ardhshëm, duke iu dhënë atyre kështu një mundësi të dytë.
Lajmin e ka bërë të ditur, kreu i njësisë administrative nr.6 në Durrës, Serjan Mazrreku, i cili iu bën thirrje banorëve të Durrësit të Ri, të dorëzojnë pranë komunës dokumentacionet për të deklaruar ndryshimin e vendbanimit.
Për “DurrësLajm”, Mazrreku sqaron edhe dokumentat e nevojshme që duhet të dorëzojnë banorët për të realizuar këtë proces, (fotokopje e kartës së identitetit të të gjithë anëtarëve të familjes, certifikatë pronësie e noterizuar ose vërtetim që janë në proces legalizimi) ndërsa shpjegon se në të kundërt penaliteti do të jetë i lartë pas përfundimit të afatit 6 mujor.
Mësohet se gjoba për qytetarët do të jetë në vlerën 1 milionë lekë të vjetër. Duke qenë se zgjedhjet vendore po afrojnë, saktësimi i banesës do të sillte lehtësi për qytetarët për të votuar në qendrën e votimit të zonës.
G.D.





