Nga Alfred Lela

Profili i Erion Braçes si opozitari i panegociueshëm i zhvillimeve apo prirjeve jo idealiste në Partinë Socialiste është një pompë së cilës i mëshohet prej vitesh tashmë. Teknika është e thjeshtë dhe lejon dy kënde prej nga mund të shihet bota e zhvillimeve politike të brendshme në PS (qëllimi është ndikimi i jashtëm apo pasqyrimi nga brenda jashtë si komunikim publik).

Këndi i parë lejon që ta shohësh Partinë Socialiste, tashmë ‘Rilindjen’, si një organizatë politike elastike, e hapur ndaj opozicionit të brendshëm dhe ndaj frymës kritike. Erion Braçes i është lejuar apo ngarkuar ky rol duke u emëruar, ad hoc, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Pafuqishëm i kësaj pamjeje ose iluzioni socialist.

Këndi i dytë hapet si pamje e jashtëzakonshme në rastet kur opozita legale mungon, abstenon, bojkoton e me radhë. Siç është rasti i legjislaturës aktuale që ka qenë një koncert solo i qeverisë dhe shumicës që e ka prodhuar.

Në kësi situatash z. Braçe simulon, në zonën e penalltisë, demin e ngucur që i turret me ndërkryerje cohës së kuqe të partisë së vet dhe bën si ‘kafshë politike’ e opozitës. Kjo kryen dy funksione: thekson mungesën e opozitës legale në Kuvend, apo në çdo formë a vend të debatit,  si dhe mundohet të krijojë një lidhje empatie apo dhembshurie mes socialistëve dhe publikut.

Nuli i kësaj lëvizjeje pa top, si të Braçes ashtu dhe të PS, është i thjeshtë për t’u kuantifikuar dhe kualifikuar. Ka të bëjë me peshën e kundërshtimit; do të thotë, a dëgjohet zëri i Braçes, pra a shndërrohen në pengesë kritikat, qëndrimet, kundërshtitë e  tij ndaj neneve, ligjeve, qëndrimeve, filozofisë politike të Partisë Socialiste, apo ato janë qëndrime të llojit ‘më ka çu nana me la gojën’.

Kjo e fundit duket se është spikama përcaktuese.

Sa kohë që ndodh kështu jemi në një situatë tipike të raportit parti me levat e saj, një dikotomi e hasur në Shqipërinë komuniste të para viteve ’90. Asokohe PPSh e plotësonte mizanskenën me ‘bijëzat’ e saj Frontin Demokratik, Bashkimet Profesionale, Organizatën e Rinisë, të Gruas etj. Këto të fundit ishin të llojit butaforik, sa për të theksuar edhe më shumë primatin e ‘nënës parti’.

I tillë është edhe pozicioni i Braçes, një butafori në funksion të partisë dhe të udhëheqësit. Ndoshta Braçe e merr seriozisht rolin e vet, por sa kohë asgjë serioze nuk prodhon, të tjerët duhet ta marrin për çka është.

Pra, ta vlerësojnë sipas kutit të mungesës apo pamundësisë së saj.