Për nder të 28 nëntorit, ditës së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt një manifestim në Geteborg ( Göteborg) të Suedisë. Në këtë manifestim morën pjesë bashkatdhetarë nga Geteborgu si dhe qytetet e tjera përrreth. Në mesin e tyre kishte pjesëmarrës edhe nga Durrësi.
Manifestimin e hapi moderatorja Jonida Gjana, e cila në fjalën përshëndetëse për të gjithë të pranishmit, uroi ditën e flamurit si dhe 106-vjetorin, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Me motivin që kjo festë na bashkon kudo që jemi si shqiptarë, për ta kujtuar këtë datë historike, mbrëmjes festive ia shtuan hijeshinë e madhështinë, filmi dokumentar kushtuar mikut të shqiptarëve, albanologut suedez Ullmar Qvick, si dhe promovimi i librit “Namatisje-Refleksione” nga durrsakja-ulqinake Gladiola Busulla Jorbus.
Në këtë dokumentar rrëfen vetë Ullmar Qvick për përqasjet e para me gjuhën shqipe dhe mënyrën se si lindi dëshira që ai të kontaktojë me shqiptarët dhe kontaktet e para me Shqipërinë, pastaj edhe vizita e tij përherë në viset shqiptare. Qvick tregon shumëçka gjatë këtyre minutave në atë film dokumentar, duke shpalosur ndjenjat e tij pozitive, dhe gjithçka kishte dëgjuar e mësuar për historinë e shqiptarëve, gjatë rrugëtimit të tij që nga fillesat e kontaktet e para e deri në ditët e sotme.
Dokumentari, tani është bërë publik në shumë media sociale dhe mund të shihet nga kushdo që ka dëshirë dhe të njihet më së afërmi me një njeri i cili pothuajse ia kushtoi të gjithë jetën çështjes shqiptare. Gjithashtu Ullmar Qvick është edhe dhëndër në Kosovë, përkatësisht në qytetin e Pejës.
“Namatisje-Refleksione” libri i autores së talentuar Gladiola Jorbus, pati po ashtu fatin të promovohet në nder të 28 Nëntorit para shumë bashkatdhetarëve intelektualë e artistë që jetojnë në Suedi. Libri është shkruar në Durrës, botuar në Boras (Borås) të Suedisë, u promovua në Shkup të Maqedonisë dhe tani së fundmi u prezantua edhe në Goteborg të Suedisë. Recensuan Sokol Demaku, shkrimtar, si dhe nga psikologia Diellza Alihajdaraj Partini. Pas përfundimit të promovimit dhe fjalës së dy resensorëve, autorja durrsake shpërndau dhe firmosi libra falas për të gjithë dashamirësit e librit dhe të Gladiolës në veçanti.
Manifestimi vazhdoi me pjesën e tretë të programit me muzikë të drejtpërdrejtë (live) nga grupi muzikor “Muzikantët e Goteburgut”. Aty u krijua vërtet një atmosferë festive ashtu siç i ka hije shqiptarit, t’i festojë e t’i kujtojë ditët kombëtare e historike. Gjatë kohës së pauzave, të pranishmit përveç se u shërbyen me kafe e ëmbëlsira, u njohën me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer përvoja e ide të ndryshme për projekte të radhës në lëmin e kulturës.
Organizatorët e kësaj mbrëmje ishin: shoqata kulturore “Mbretëresha Teuta”, nga Goteburgu (Göteborg) Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borosi (Borås) si dhe shoqata “Albakos” nga Helsinbori ( Helsingborg) në Suedi.
Realizues të film-dokumentarit për albanologun suedez Ullmar Qvick ishin: regjisori Vranin Gecaj, aktori Victor Gadderus, Jeton Partini, Egjlale Shipoli, Julietta Spahia, Djellza Alihajdaraj Partini, të gjithë anëtarë të shoqatës “Mbretëresha Teuta” me kryetar Tritos Hoxha.
Nga Bahtir Latifi (Goteborg 2018)